Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës nënshkroi marrëveshje të re bashkëpunimi me Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit. Marrëveshja e nënshkruar më 16 mars 2023, nga dy dekanët, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Prof. Dr. Ivan Koprić, përfshinë zgjerimin dhe forcimin e shkëmbimit dhe bashkëpunimit akademik si vlerë reciproke, midis dy institucioneve.
Marrëveshja parasheh edhe kërkime të përbashkëta ose individuale, për qëllime të tjera arsimore, kërkime shkencore duke eksploruar mjete për promovimin e simpoziumeve, konferencave kërkimore, shkëmbimin e informacionit akademik, publikimin e kërkimit, mbledhjen dhe ndarjen e materialeve dhe të dhënave kërkimore. Çdo institucion do të inkurajojë lëvizshmërinë e studentëve të ciklit deridiplomik, pasuniversitar dhe atij të doktoraturës.
Për konkretizimin e bashkëpunimit mes dy fakulteteve rol të rëndësishëm ka luajtur ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë, ekselenca e tij Milaim Fetahi.