Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, në bashkëpunim me Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), më 19 shtator 2023, e organizuan tribunën me temë: “Rrëfime nga Ukraina”.

Në këtë tribunë ku morën pjesë drejtuesit e Universitetit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani, dekanë, profesorë dhe studentë, një ekip i shërbyesve publikë të Ukrainës, rrëfyen për tmerret e luftës që zhvillohet në shtetin e tyre, tmerre të cilat i ka shkaktuar Federata Ruse.

Në hapjen e kësaj tribune, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se institucionet kredibile, siç është edhe Universiteti i Tetovës, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe u janë bashkuar thirrjeve kundër luftës dhe kanë apeluar për rivendosjen e paqes në këtë shtet të Evropës.

“Sulmi i Federatës Ruse ndaj Ukrainës është kërcënim për sigurinë e popullit të saj, por dhe kërcënim ndaj vlerave demokratike, sigurisë në Evropë dhe paqes kudo në botë. Populli shqiptar ende i ka të freskëta vuajtjet e sakrificat e luftës, ndaj i japim mbështetje të plotë popullit të Ukrainës, institucioneve demokratike, të cilët po mbrojnë atdheun, paqen dhe lirinë si vlera universale. Duke i njohur zhvillimet në rajonin tonë dhe duke i përcjellë me vëmendje ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, tashmë jemi dëshmitarë të rritjes së ndikimit dhe ndërhyrjes së Federatës Ruse në vendet e Ballkanit përmes Serbisë, Republikës separatiste Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe manifestimet e saj obstruksioniste si përpjekja e dështuar për grushtin e shtetit në Mal të Zi, dhe përpjekjet e ngjashme në Maqedoninë e Veriut”, tha Rektori, Prof. Dr. Jusuf  Zejneli.

Ai e përshëndeti qëndrimin e qeverive dhe autoriteteve shtetërore të rajonit tonë, që u rreshtuan përkrah aleatëve perëndimorë, në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj.

“Pjesa dërmuese e shteteve të këtij gadishulli, e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike kundër Rusisë, sanksione këto të vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet demokratike. Nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, konstatohet se Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe. Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar”, deklaroi Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe shtoi se lufta çlirimtare e Ukrainës kundër agresionit rus gjithsesi duhet të mbështetet, por duhet të kërkohen rrugët që kjo luftë të ndalet sa më parë.

Politologu nga Ukraina, dhe autori i librit “Si funksionon propaganda e Putinit”, Mikola Davidyuk, tha se që nga viti 2016, kur është botuar ky libër, në mënyrë shumë agresive është rritur propaganda ruse. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, shumë politikanë dhe gazetarë kanë qenë vegla të cilat kanë tentuar të vjedhin dhe të shkatërrojnë gjithçka që Ukraina ka ndërtuar, që nga pavarësia e saj. Davidyuk shtoi se, sot Ukraina në mënyrë të dëshpëruar tenton të krijojë bashkimin e botës demokratike, kundër agresionit Rus, pasi siç tha, çdo cep i territorit të Ukrainës është kusht për sigurinë e Evropës. Davidyuk gjatë kësaj tribune gjithashtu shfaqi edhe disa video-incizime të shkatërrimeve që ka lënë pas vetes ushtria ruse, përfshirë banesa, shtëpi, shkolla, institucione, objekte afariste dhe infrastrukturore.

Tetjana Sçerbak, zëvendësguvernatore e Rajonit të Kievit, tha se Ukraina është e vendosur të luftojë deri në çlirimin e centimetrit të fundit të territorit të saj, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguaj. Ajo e falënderoi audiencën e përbërë nga studentë dhe pedagogë të UT-së, si dhe nga aktivistë e gazetarë, për përkrahjen që i jep bota demokratike luftës në Ukrainë.

Ndërkaq Nenad Çanak, politikan dhe aktivist për paqe dhe demokraci, u shpreh se një ideologji totalitare dhe perandorake e gjakut, siç është Rusia, sulmoi një vend që po përpiqet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Ai gjithashtu shtoi se në Serbi ekzistojnë dy lloje të politikanëve, të cilët siç tha, disa punojnë për Rusinë, ndërsa të tjerët që i frikësohen Rusisë. Ndërsa grupi i tretë, shtoi Çanak, janë ata që mendojnë ndryshe dhe janë pakicë.

Në këtë tribunë po ashtu u tha se, nga invadimi i Rusisë në Ukrainë konstatohet se Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe. Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për ta mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar.

Nga drejtuesit e Universitetit, ekipit të lartpërmendur iu ndanë botimet e këtij institucioni, si: Monografia e UT-së, revistat shkencore të njësive akademike, portreti i themeluesit, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe botime të tjera arsimore-shkencore.

Në përmbyllje të vizitës, mysafirët nga Ukraina i vizituan ambientet e kampusit të Universitetit dhe zyrën e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, ku u pritën nga drejtoresha Mr. Sc. Donika Kamberi, e cila i njohu aktivistët ukrainas për rolin e kësaj qendre, veprimtarinë dhe ecurinë e projekteve që kanë për qëllim zgjidhjen e konflikteve dhe sigurinë e paqes kudo në botë.

 

Zyra për informim