Në Universitetin e Tetovës, nga 17 e deri më 19 maj 2023, i zhvilloi punimet Kongresi i Shkencave Natyrore, Mjekësore dhe Teknologjive. Një numër i madh studiuesish nga vendi ynë, rajoni dhe Evropa morën pjesë në punimet e këtij kongresi, me theks të veçantë në konferencat shkencore ndërkombëtare të 6 njësive akademike, fakulteteve të UT-së, të cilat trajtuan tematika të ndryshme.

Në hapjen e punimeve të këtij kongresi, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se, kjo ngjarje shkencore në universitetin tonë është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për komunitetin akademik por edhe për studentët, sepse mundëson shkëmbimin e përvojave, ideve, përfitimin e njohurive të shumta nga shkencat përkatëse, si dhe krijimin e urave të miqësisë mes studiuesve dhe studentëve. “Në kuadër të këtij kongresi, në disa prej fakulteteve të Universitetit tonë, do të zhvillohen 6 konferenca shkencore ndërkombëtare, si: Konferenca e 8-të Ndërkombëtare Ballkanike e Shkencave Sportive, e organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike; Konferenca e 7-të Shkencore Ndërkombëtare e Shkencave të Aplikuara, e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara; Konferenca e 6-të Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë; Konferenca e 5-të Ndërkombëtare e Shkencave Natyrore dhe Matematikës, e organizuar nga Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore; Konferenca e 3-të Ndërkombëtare e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, e organizuar nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit; Konferenca e 1-rë Ndërkombëtare për Sistemet e Qëndrueshme Bujqësore, e organizuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë. Të gjitha këto konferenca janë organizuar së bashku me një numër të konsiderueshëm të njësive akademike të ndryshme të universiteteve nga vendi dhe ndërkombëtarë”, tha Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti, para hulumtuesve shkencorë të pranishëm, në fillimet e këtij kongresi i informoi ata në pika të shkurtra për maratonën jo pak sfiduese në ndërkombëtarizimin e revistave shkencore. “Në vazhdën e këtij kongresi, po ashtu promovohen edhe 5 revista shkencore, si: Acta Medica Balkanica – International Journal of Medical Sciences, me numër 13-14; International Journal of Food Technology and Nutrition, me numër 9-10; JAS-SUT – Journal of Applied Sciences-SUT, me numër 15-16; Journal of Natural Sciences and Mathematics of UT, me numër 13-14; SPORT AND HEALTH – International Journal of Sport Sciences and Health, me numër 19-20. Të gjitha revistat e lartpërmendura janë të indeksuara në: Google Scholar; IndexCopernicus International dhe Academic Search Complete (EBSCO). Vlen të theksohet se, nga viti i kaluar të gjitha revistave të Universitetit u është dhënë faktor impakti ISI  – si i vetmi faktor impakti valid pas SCOPUS. Në aspektin organizativ më lejoni të ju raportoj për rrjedhën e Kongresit që përmban në vete gjashtë konferenca, ku çdonjëra nga ato e pasuruar me universitete partnere në fushat përkatëse, me ç’rast ky kongres në total numëron 23 universitete partnerë, me gjithsej 957 autorë dhe bashkautorë, 431 abstrakte, të cilat do te prezantohen në 5 seanca plenare dhe 25 sesione paralele”, u shpreh mes tjerash Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.

Në punimet e këtij kongresi, përpos prezantimit të rezultateve në sesionet e lartpërmendura, pjesërisht pjesët aplikative u pasqyruan përmes 7 punëtorive, si: Punëtori rreth publikimit në revista me impakt faktor të lartë; Punëtori me temë: Quality control of input materials and finished products e bashkorganizuar nga kompania Knauf Radika në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Zbatuara; Punëtori me temë: Sport for individuals with physical disability, e organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike; Tri punëtori me tema – Milk processing technology, Bakery technology dhe Production of beverages drinks in Laboratory conditions, të organizuara nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit; Punëtori me temë – Determination of water hardness in the region of Tetovo, të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore; Punëtori në Spitalin Klinik të Tetovës, gjegjësisht në repartin e Gjinekologjisë, me temë: Fetal Echocardiography Foundation Course dhe Principles dhe punëtori Diagnostics and Planning of Implant and Implant-Prosthetic Treatment, të organizuara nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore. Instituti i Ekologjisë dhe Teknologjisë i Universitetit të Tetovës, po ashtu organizoi Ekspozitë nga thesari i natyrës dhe seancë plenare me temë përkatëse. Ndërkaq, Fakulteti i Arteve, në përmbyllje të kongresit organizoi Koncertin e muzikës popullore, me temë: Combination and interpretation of traditional Romanian village sounds, në bashkë organizim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Timishvarit – Rumani.

Për organizimin e këtij kongresi kanë kontribuar edhe disa biznese, si: Renova, Vardar Dolomit, Rifam, Dauti Komerc, Vezë Sharri, Euro Caffe, Knauf  Radika dhe Spitali i përgjithshëm “Ferid Murad” -Gostivar.

Zyra për informim