Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot realizoi takim pune me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi.
Në këtë takim, Rektori i UT-së, zëvendëskryeministrin Grubi e ka uruar për emërimin e tij në këtë detyrë tejet të rëndësishme dhe e ka njoftuar për ecurinë pozitive të veprimtarisë arsimore –shkencore të Universitetit të Tetovës.
“Në emër të Universitetit të Tetovës, Ju uroj për emërimin Tuaj në këtë pozitë të lartë shtetërore, shumë të rëndësishme për avancimin e proceseve të përgjithshme në vendin tonë, sikundër do të theksoja mjaft të dobishme edhe për lëmin e arsimit të lartë në shtetin tonë.
Universitetet japin kontribut të rëndësishëm për shoqërinë, demokratizimin e saj dhe përparimin e vendit. Ndaj, besoj ta vijojmë edhe më tej bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona, si në projektet kërkimore- shkencore, por edhe në përfundimin e projekteve infrastrukturore, si: investimet kapitale, ndërtimin e Bibliotekës Universitare, përfundimin e punimeve në Konviktin e Studentëve, forcimin e Instituteve kërkimore-shkencore, pajisjen e laboratorëve, vazhdimin e investimeve në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, punësimin e kuadrove të reja, etj.”- deklaroi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërkaq, z. Artan Grubi u zotua se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të ofrojë përkrahje maksimale për institucionet arsimore, përfshirë edhe Universitetin e Tetovës, universitetin e parë dhe më të madh në gjuhën shqipe në vend.
“Këtë sot ia thash rektorit të Universitetit të Tetovës, z. Vullnet Ameti, me të cilin kisha kënaqësinë që të realizoj një takim pune. I thash rektorit se, Qeveria do të shqyrtojë mundësitë për përkrahjen e të gjitha projekteve me rëndësi për Universitetin e Tetovës, siç janë konvikti i studentëve, pishina, projektet infrastrukturore brenda universitetit dhe me këtë të mundësoj krijimin e kushteve edhe më të mira për studentët”- theksoi Artan Grubi.
Në përmbyllje të takimit, Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Grubit ia dhuroi portretin e gravuar të themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, si dhe botimet e reja shkencore të Universitetit të Tetovës.
Universiteti i Tetovës me kapacitetet kadrovike, vizionin e tij arsimor-shkencor dhe rolin e tij historik është dëshmuar si institucion me rëndësi, si në vendin tonë edhe më gjerë.
Zyra për informim