Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, studentët e vitit të parë të programit studimor Drejtësi, realizuan një seancë të improvizuar gjyqësore, me temë “Pasojat e ndryshimeve sociale te familjet tradicionale dhe bashkëkohore”.

Në mbajtjen e kësaj seance i pranishëm ishte edhe Rektori i Universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili i uroi studentët për përkushtimin e tyre gjatë studimeve. Ai tha se, studentët e Fakultetit Juridik tani më disa vite me radhë në gara të ndryshme vendore e kanë dëshmuar se janë të aftë për të realizuar seanca gjyqësore duke arritur që të shpërblehen edhe me çmime të ndryshme. Sipas tij, sukseset e studentëve tonë e lartësojnë Universitetin, sikurse Universiteti e bënë të njëjtën duke i përgatitur ata profesionalisht në karrierë.

Po ashtu, para realizimit të kësaj seance, fillimisht u zhvillua një panel diskutimi kushtuar pasojave të dhunës në familje. Rreth kësaj tematike i shfaqën qëndrimet e tyre nga sfera e legjislacionit dy deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Arta Bilalli – Zendeli, e cila u fokusua tek aspektet juridike, ndërsa deputetja Prof. Dr. Finsike Bekteshi – Shaqiri foli mbi aspektet shoqërore për sa i përket pasojave të dhunës në familje. Në këtë panel qëndrimet e tij rreth këtij fenomeni i shpalosi edhe Prof. Dr. Bashkim Selmani, njëherit edhe udhëheqës i studentëve në përgatitjen e seancës së improvizuar gjyqësore. Ai, po ashtu paraqiti edhe studimin shkencor për shkaqet e devijimit në familje.

Hulumtimi ka përfshirë 300 të anketuar shqiptarë nga Gostivari, Tetova, Struga, Kumanova, Çairi, Gazi Baba, Likova dhe Haraçina, të cilët u kanë dhënë përgjigje 12 pyetjeve në Pyetësorin e titulluar: Mungesa e komunikimit të drejtë dhe mosadministrimi i situatave të palakmueshme, pasojë e krizës ekonomike dhe dhunës në familje. “Nëpërmjet përpunimit të përgjigjeve, siguruam të dhëna shqetësuese, që kanë të bëjnë me mënyrën e sigurimit të mjeteve financiare për ekzistencë ose për ndonjë qëllim tjetër, situatë që reflekton se, çdo i treti  i ri është në gjendje të ikë ose ta lëshojë atdheun, çdo i dyti i ri është i rrezikuar nga lëndët narkotike, alkooli, bixhozi ose lojërat e ndryshme të fatit, si rrezikshmëria digjitale dhe devijime të tjera, ndërsa çdo i pari nuk ndjehet ose pjesërisht ndjehet i lumtur, i qetë apo i motivuar se këtu do të bëhet jeta më e mire”, tha Prof. Dr.  Bashkim Selmani.

Studentëve që e realizuan seancën e improvizuar gjyqësore u dhurua nga një libër në shenjë dhurate simbolike për kontributin e tyre. Librat ua ndanë rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti  dhe dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.