Në Universitetin e Tetovës, përmes një akademie solemne u shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Kjo ngjarje kaq e veçantë, e cila përkujton sakrificën dhe mundin e të parëve tanë për të pasur arsim dhe shkollë në gjuhën shqipe, këtë vit u organizua nga Fakulteti Pedagogjik.
Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi u shpreh se dita e sotme është e një rëndësie të veçantë dhe është një prej datave më të rëndësishme, jo vetëm në sferën e arsimit, por edhe në historinë tonë kombëtare. “Është dita që përkon me hapjen e Shkollës së parë me mësim në gjuhën shqipe në Korçë, rrezet e së cilës u përhapën anekënd hapësirës ku flitet shqip, rreze të cilat në vitin 1994 u kurorëzuan edhe me themelimin e Universitetit të Tetovës, tempull ky i cili sot mund të krenohet me kuadrot që ka nxjerrë dhe që janë bartës të funksioneve më vitale të shoqërisë. Mirënjohës për punën dhe përkushtimin që kanë treguar mësimdhënësit shqiptarë, përfshirë ata që nuk janë në mesin tonë, veteranët e arsimit, si dhe mësimdhënësit të cilët me përkushtim maksimal përhapin dritën e diturisë te gjeneratat e reja. Sot, edhe pse është nëpërkëmbur dinjiteti i mësuesit, është detyrë e të gjithë neve që këtë profesionin fisnik ta çmojmë me qëllim që ta kthejmë respektin e shoqërisë për mësuesit, për arsye se ashtu siç e kemi arsimin sot, do ta kemi shoqërinë nesër. Kjo për arsye se mësuesi është shtylla e një shoqërie. Universiteti i Tetovës, në kuadër të së cilit është edhe Fakulteti ynë, është duke ndjekur rrugën e progresit në këtë drejtim, andaj si vlerë kombëtare që e kemi të gjithë ne duhet të japim kontribut për zhvillimin e tij. Në këtë drejtim, Fakulteti Pedagogjik gjithmonë ka synim përpilimin e programeve studimore, të cilat do të jenë në pajtim me kërkesat e shkollës së sotme bashkëkohore, të tendencave bashkëkohore në arsim, me qëllim të jemi konkurrentë në tregun akademik evropian dhe për të pasur programe të pranuara ndërkombëtarisht”, – theksoi dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Referatin qendror për 7 Marsin e lexoi profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Jehona Rushidi – Rexhepi. Ajo tha se rëndësia e historikut të 7 Marsit të vitit 1887 nuk do të ishte e plotë nëse nuk e analizojmë shkollën e së tashmes dhe strategjitë e menduara për modelimin e shkollës së të ardhmes.” Kështu ndoshta më së miri do të dalë në pah se si kanë reflektuar e janë zhvilluar aspiratat e paraardhësve. Përveç tjerash, fokusi duhet drejtuar në qasjen ndaj procesit edukativ-arsimor, pa kurrfarë diskriminimi, në kultivimin e respektit, reciprocitetit, solidaritetit dhe dinjitetit. Duhet pasur parasysh vlerat të cilat i ndajmë dhe gjithashtu atë që aspak nuk është më e parëndësishme se ato që i numëruam, shërbimet speciale përkrahëse të nxënësve me nevoja të posaçme. Së këndejmi, mund të parashtrojmë disa pyetje dhe mëdyshje të tjera: a themi, aq sa shkruajmë e botojmë? Sa rrezatojnë figura e mësuesit të kompletuar dhe shkolla si institucion me aurën e nivelit të duhur të ngritjes së gjithanshme, por në veçanti të cilësisë arsimore? Nëse përgjigjet do të ishin pozitive, do të kishte qenë ideale, nëse jo, duhet kërkuar arsyet dhe rruga e përmirësimit. Universiteti ynë, gjegjësisht Fakulteti Pedagogjik, ka vite që nxjerr gjenerata të cilat janë treguar të suksesshme në rolin e mësuesit, edukatorit parashkollor, pedagogut dhe edukatorit special dhe rehabilitatorit. Këta dhe brezat që vijnë duhet të na tregojnë dhe të dëshmojnë se pikërisht shkollimi e modelon të ardhmen me atë që dija e përvetësuar në shkollë është ndikimi më i mirë mbi shoqërinë. Mes tjerash, mësuesi i realizuar profesionalisht di si t’i bëjë nxënësit pjesëmarrës të pasionuar në procesin e të nxënit”, tha Doc. Dr. Jehona Rushidi – Rexhepi.
Në këtë akademi evokuan kujtime të orëve mësimore edhe dy veteranet e arsimit, zonja Xhemile Beadini dhe zonja Nexhdete Palloshi. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprimtarinë e saj ndër vite në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave, rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, zonjës Xhemile Beadini i ndau një dhuratë me portretin e gravuar të Rektorit të parë , Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994/2004). Ndërsa prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë mirënjohje për kontributin e saj në fushën e arsimit, zonjës Nexhdete Palloshi ia ndau portretin e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe Monografinë e Universitetit të Tetovës.
Në këtë ditë feste, Fakulteti Pedagogjik sot i shpalli edhe rezultatet e konkursit të brendshëm për krijime letrare, poezi, prozë, ese dhe punime të artit vizual më të mirë. Me këtë rast u ndanë edhe shpërblime për punimet më të mira.
Akademia solemne për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve, artistët Besiana Mehmedi, Bajramali Idrizi dhe Shkëlzen Baftijari.